Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Kryeministri Thaçi: Pas vlerësimit për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, do të vazhdojmë me kapitullin e angazhimeve ne procesin e integrimeve euroatlantike

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 81-të, të rregullt, në të cilën ka aprovuar vendime dhe projektligje në fushën e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
 
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes para kabinetit qeveritar tha se tani jemi në prag të vlerësimit nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar  për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë,  Kjo do të ndodh më 2 korrik në Vjenë tha z.Thaçi dhe shtoi:
 
“Jemi të bindur plotësisht se vlerësimi ndërkombëtar do të jetë shumë pozitiv për Kosovën dhe bazohet në suksesin e përbashkët të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës , Qeverisë, Kuvendit, Presidencës dhe autoriteteve lokale, duke u bazuar në implementimin e plotë të dokumentit të Presidentit Ahtisaari”, theksoi z. Thaçi.
 
“Do të jetë ky një vlerësim për qeverisjen e mirë,  efikase dhe efektive,  për rendin dhe ligjin, për reformat e thella demokratike për respektimin afirmativ të të drejtave të gjitha komuniteteve. Prandaj Kosova merr pjesë në takimin në Vjenë me shpresën dh besimin për vlerësimin që do të marrë. Natyrisht do të kemi punë gjatë tërë verës në mënyrë që të mbyllet së implementuari e gjithë pakoja dhe më 12  shtator të merret vendimi përfundimtar’ ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi edhe njëherë në emër të Qeverisë falënderoi të gjithë ata që i kontribuuan këtij suksesi të ri të shtetit dhe të shoqërisë kosovare.
 
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Republikës së Kosovë ka miratuar projektligjin për Veprimtari Kërkimore, Shkencore, Inovacion dhe Teknologji dhe ka aprovuar edhe Koncept-dokumentin për Projektligjin për krijimin e Odave të Profesionistëve Shëndetësor.
 
Është aprovuar edhe Koncept-dokumenti për hartimin e projektligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare, për proteza të invalidëve të luftës, mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, është miratuar vendimi për shënimin e 22 korrikut si Dita e Drejtësisë në Republikën e Kosovës. Kjo datë është e lidhur me shpalljen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, më 22 korrik 2010.
 
Qeveria ka aprovuar vendimin për shfuqizimin e 72 akteve  nënligjore të miratuara nga Qeveria dhe ministrat, sipas një vlerësimi  të bërë nga një komision ndërministrorë që ka vlerësuar të gjitha aktet ligjore të miratuara deri sot. Aktet e shfuqizuara janë vlerësuar si të panevojshme dhe të tejkaluara tashmë me hartimin e legjislacionit të ri.
 
Me rekomandimin e Komisionit për Menaxhimin e Fondit, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për listën e mediave përfituese të granteve nga Fondi për mbështetjen e medieve minoritare, multietnike dhe grupeve tjera të veçanta. Sipas këtij vendimi, 18 mediume në shërbim të komuniteteve minoritare dhe multietnike do të përfitojnë grante financiare nga ky fond, në vlerën e përgjithshme prej 96330 euro. 

Prapa