Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Letër e Kryeministrit drejtuar drejtorit të përgjithshëm të EBU-së

shkarko me rezolucion më të madh

Z. Jean RÉVEILLON
Drejtor i Përgjithshëm
European Broadcasting Union
L'Ancienne-Route 17A
CH-1218 Grand-Saconnex
Switzerland

28 Tetor 2009



I nderuar z. RÉVEILLON

Me lejoni të filloj duke ju falënderuar për letrën tuaj të datës 26 Nëntor 2009, ku ju shprehni shqetësimin tuaj lidhur me gjendjen e RTK-së - transmetuesit publik të Kosovës.

Karakteri urgjent i letrës së juaj dhe toni i letrës e kanë tërhequr vëmendjen e duhur, prandaj, unë dua t’i adresojë menjëherë shqetësimet tuaja, duke hapur një rrugë të komunikimit, e cila shpresoj se do të shpie drejt një zgjidhjeje të përshtatshme dhe afatgjate për ruajtjen e kredibilitetit, të pavarësisë dhe të qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit tonë publik, në ditët dhe në javët në vijim.

Dëshiroj të shpreh keqardhjen time lidhur me disa vlerësime të cilat i keni paraqitur në letrën në fjalë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, unë dua t’ju siguroj që qëllimi ynë është ruajtja dhe forcimi i instrumenteve dhe kushteve që do të sigurojnë pavarësinë editoriale të RTK-së, në përputhje me standardet të cilat duhet të zbatohen në mënyrë që RTK të behët anëtare e EBU-s dhe që Kosova të dëshmoj vetën si një shtet me një ambient medial dinamik dhe të hapur.

Qeveria e Kosovës, së fundi, ka vendosur që të ulë nivelin e TVSH-së për mediet, duke ju përgjigjur kështu njërës prej kërkesave më të shpeshta të medieve të shkruara. Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka shpërndarë grantet e para për mediet minoritare, nga një fond special i cili u krijua për t’i forcuar dhe mbështetur këto medie. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kuvendin e Kosovës dhe i kemi inkurajuar që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për problemet financiare dhe administrative të RTK-së, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Ju i keni bërë disa vlerësime të ndjeshme në letrën tuaj; megjithatë, me lejoni të sugjeroj se prapa shqetësimeve tuaja më të mëdha, ekzistojnë arsye shumë më të ndërlikuara se një skenar me pak gjasa, kinse një parti politike po mundohet ta kontrolloj një medium publik.

Së pari, gjendja e vështirë financiare e RTK-së pjesërisht ka të bëj me zemërimin që shumë qytetarë të Kosovës ndjejnë ndaj pagesës së obliguar prej 3.5 eurosh për RTK-në, si një shtesë në faturën e rregullt të shpenzimit të energjisë elektrike. Kjo çështje ka gjetur konsensusin e të gjitha partive politike, duke përfshirë këtu opozitën dhe partitë e minoriteteve. Shumë debate dhe mocione janë ngritur në vitet e fundit për ta ndërprerë këtë pagesë të obliguar. Ngjashëm, deputetë nga të gjitha partitë politike kanë kërkuar një auditim financiar të RTK-së, nga brenga se paraja publike, së bashku me të hyrat nga marketingu, nuk kanë prodhuar një nivel të dëshiruar të cilësisë.

KEK-u, ndërmarrja publike energjetike, që është duke operuar me humbje financiare, shpeshherë është ankuar se pagesa për RTK-në, që ata kanë grumbulluar nga secili njehsor elektrik i instaluar në Kosovë, e ka dëmtuar biznesin e tyre, veçanërisht duke pasur parasysh se vlera mesatare e faturës së konsumit të energjisë elektrike në Kosovë është mesatarisht 25 euro për një familje. Familjet kosovare e kanë ngritur zërin e tyre kundër kësaj pagese, sidomos në vendet ku RTK nuk transmeton sinjalin e vet.

Këtë muaj, Gjykata Kushtetuese, siç e keni përmendur edhe në letrën tuaj, ka marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

Gjykata përbëhet nga disa nga njerëzit më të shquar të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë kosovarë dhe ndërkombëtarë; është e bazuar në Planin e Ahtisaarit dhe është e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare. Gjykata i ka suspenduar pagesat e obliguara që KEK-u i ka grumbulluar në emër të RTK-së, në pritje të një vendimi përfundimtar lidhur me kushtetutshmërinë e pagesave të obliguara.

Deputetë të Kuvendit, nga shumë parti, duke përfshirë Kryetarin e Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, i cili vjen nga radhët e partisë që unë drejtoj, e kanë mbështetur kontratën në mes të KEK-ut dhe RTK-së.

Qeveria ime është në një pozitë të vështirë, pavarësisht nga akuzat e padrejta për ndërhyrje politike.

Ne nuk dëshirojmë që të kemi ndonjë ndikim në punimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe ne mendojmë që duhet të ndërmarrim hapa urgjentë për të siguruar funksionim të qëndrueshëm financiar për RTK-në, duke mbledhur burimet e nevojshme deri tek gjetja e mënyrës së qëndrueshme të financimit të transmetuesit tonë publik.

Ju, po ashtu, e keni përmendur çështjen e marketingut, dhe kjo është një çështje tjetër në të cilën qeveria ime nuk mundet dhe nuk do të ndërhyjë.

Agjencia përkatëse rregullative është e pavarur nga qeveria, dhe bordi i saj përbëhet nga udhëheqës të shoqërisë civile dhe ekspertë me përvojë të gjatë në sektorin e medieve. Ishte rekomandim i tyre, dhe jo i imi, që transmetuesi ynë publik, i cili është i subvencionuar nga qytetarët, nuk mund ta përdor pozitën e tij dominuese për të transmetuar reklama gjatë orëve me shikueshmërinë më të lartë, dhe kështu të krijojë kushte jo të drejta të tregut për dy transmetuesit e tjerë kombëtarë, pronarë të të cilëve janë akterë të mirënjohur të medieve dhe shoqërisë civile. Po e ritheksoj, ndonëse në po e përcjellim debatin e ligjshmërisë së marketingut, qeveria jonë nuk ka qenë e përfshirë në këtë diskutim teknik.

Çështja e dytë që ju keni ngritur është çështja e pavarësisë së medieve. RTK-ja nuk është dhe nuk ka qenë nën kontrollin e qeverisë apo të partive politike. Programe televizive që janë shumë kritike ndaj qeverisë shfaqen shpesh, dhe unë i kosideroj ato si një zë të rëndësishëm dhe si pjesë esenciale të sistemit të kontrollit dhe balancit. Raportet vëzhguese, të bëra gjatë fushatës së tanishme elektorale, konfirmojnë që RTK-ja ka ndarë një kohë pothuajse të barabartë të transmetimit për të gjitha partitë, dhe partia që unë udhëheq nuk është ajo që udhëheq për nga prezantimi në transmetim.

Si një shikues i rregullt  i RTK-së, unë kam vërejtjet e mia për sa i përket cilësisë së disa programeve dhe për sa i përket cilësisë së raportimit, megjithatë unë e kam parasysh që disa nga këto çështje lidhur me raportimin janë thjesht produkt i nivelit të gazetarisë që nuk është ende në nivelin që pritet nga një medium modern evropian. Megjithatë, unë nuk besoj që RTK-ja është në gjendje më të keqe tani krahasuar me gjendjen e saj të mëparshme. Jam i bindur që RTK-ja është ndër transmetuesit më të mirë publik në rajon, duke pasur parasysh që RTK-ja ka në dispozicion më pak resurse, por që realisht ofron një raportim më të balancuar se shumë transmetues në shtetet fqinje. Lidhur më këto rezultate, ne e kemi falënderuar edhe drejtorin e mëparshëm të RTK-së, z. Agim Zatriqi.

Për t’ju siguruar se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar të garantoj zhvillimin e vazhdueshëm dhe ngritjen e RTK-së, dhe duke ju përgjigjur letrës suaj, ne, në ditët në vijim, do ta gjejmë një zgjidhje për financimin e buxhetit operativ të RTK-së, deri sa të negociohet nga aktorët relevantë një model që do të siguroj qëndrueshmërinë afatgjate të RTK-së.

Ne e ftojmë një delegacion të EBU-së që të vijë në Kosovë, ashtu që të jenë vetë dëshmitarë nga afër për situatën në sektorin e medieve dhe për gjendjen e tanishme të RTK-së, duke e diskutuar çështjen edhe me të gjitha palët e interesuara.

Gjithashtu, ne ftojmë EBU-në që ta rrisë nivelin e përkushtimit të saj për RTK-në duke ofruar trajnime dhe mbështetje për transmetuesin tonë. RTK-ja ka nevojë për mbështetje aktive nga EBU për ta realizuar rolin dhe potencialin e saj në shoqërinë kosovare. Ne do të mbështesim çdo përpjekje për forcimin e lidhjeve në mes të EBU-s dhe RTK-së që do ta siguroj pavarësinë editoriale dhe zhvillimin e një sistemi modern të menaxhimit brenda kësaj organizate, duke përfshirë mbështetjen për Bordin e Drejtoreve të sapo emëruar.

Z. Réveillon, letra juaj është një thirrje me tone të forta që e paraqet një gjendje dramatike të medieve në Kosovë, dhe personalisht, unë nuk mendoj që kjo e përfaqëson në mënyrë të saktë progresin e madh që ka bërë Kosova në dhjetë vitet pas luftës në Kosovë. Sot, Kosova është shumë më e hapur dhe më demokratike se kurdoherë më parë.

Unë, prandaj, do t’ju kisha kërkuar një qasje e cila do të na ndihmojë në zhvillimin e shoqërisë sonë, dhe jo një qasje që paraqet një shoqëri në krizë e që mund të keqpërdorët, në kundërshtim me qëllimin tuaj, në betejat e vazhdueshme diplomatike lidhur me pavarësinë e Kosovës, lidhur me rrugën e Kosovës drejt integrime dhe lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës.

Sinqerisht,

Hashim THAÇI
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Prapa