Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

MCC prezanton planet investive para shoqërisë civile

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

21 Prill, Prishtinë

Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të OJQ-ve, ku u prezantuan planet preliminare të investimeve të agjencionit amerikan MCC në Kosovë.

Organizatat e pranishme në këtë tryezë operojnë në fushat sociale dhe ambientale në Kosovë, dy fusha që mbulohen me projektet e planifikuara.

Në fjalën e tij të hapjes, koordinatori nacional z. Petrit Selimi falënderoi organizatat pjesëmarrëse për ndihmën që i kanë dhënë Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit për të identifikuar në Kosovë fushat e mundshme të investimeve transformative për rritje ekonomike, zvogëlim të varfërisë dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Ai bëri të ditur që ekipi i MCC tashmë është në fazën përfundimtare të planifikimit të projekteve. Ky planifikim bëhet sipas metodologjisë formale të përdorur në tërë botën, kurse në qershor pritet edhe formalizimi i marrëveshjes në mes të MCC dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo marrëveshje pritet sjell dhjetëra milionë dollarë investime të freskëta në zhvillimin ekonomik.

Selimi poashtu informoi të pranishmit që ka angazhuar një kompani ndërkombëtare e cila është në proces të kryerjes së sondazhit të shfrytëzimit të kohës nga ana e fuqisë punëtore në tërë Kosovën, me fokus te gratë.

Sipas Selimit, ky studim, i pari i këtij lloji në Kosovë, do të përfshijë 10 mijë respodentë (familje), të cilët pritet të ofrojnë informacion të jashtëzakonshëm që do të mund të përdoret nga të gjitha grupet e interesit dhe institucionet që zhvillojnë politika dhe strategji, për të adresuar problemin e papunësisë në vendin tonë.

Duke u ndalur te përfshirja e ultë e gruas në tregun e punës, z.Selimi ka shtuar: ‘Përfshirja e gruas në tregun e punës në Kosovës është alarmuese. Ekspertët tanë lokal dhe ata nga Washingtoni janë kujdesur që secili projekt i dorëzuar për aprovim, të ketë elaborim të kujdesshëm për mënyrat e përfshirjes gjinore.’

Alban Zogaj, ekonomisti kryesor në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit, ka bërë një përshkrim të detajuar të metodologjisë të identifikimit të barrierave kryesore të zhvillimit ekonomik dhe dizajnimit të projekteve në fushat e përmendura.

Ndërsa, Violeta Rexha, eksperte për barazi gjinore dhe përfshirje sociale pranë Zyrës së Kryeministrit, në prezantimin e saj ka theksuar se integrimi i çështjeve gjinore në çdo fazë të zhvillimit programit, duke filluar nga planifikimi, dizajnimi i projekteve, zbatimi dhe evaluimi i tyre, ka qenë proces i cili garanton përfitimin e barabartë të gruas në secilin projekt të aprovuar.

Ekspertët e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë dhe përfaqësuesit e MCC nga Washingtoni, gjatë vizitave të shumta në Kosovë në proces të dizajnimit të projekteve janë takuar me disa qindra bashkëfolës nga komuniteti i donatorëve, institucione kosovare, shoqëri civile si dhe përfaqësues të biznesit.

Kualifikimi i Kosovës për një nga programet më inovative dhe transformative të ofruara në Kosovë, e obligon vendin tonë të punojë dhe raportojë për arritjet e standardeve të larta në qeverisje të mirë, luftim të korrupsionit dhe liritë ekonomike.

Kosova është parakualifikuar për programe të MCC në dhjetor të 2015, ndërsa projektet e para pritet të aprovohen dhe fillojnë së implementuari gjatë 6 muajve të ardhshme.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO