Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 8 qershor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE).

Në këtë mbledhje të parë në përbërje të re, ku morën pjesë ministra, përfaqësues të Bashkimit Evropian, udhëheqës të asociacioneve të biznesit dhe anëtarë të tjerë të KKZHE-së, u shqyrtuan përgatitjet për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programi Qeveritar 2015-2018 sfidat dhe adresimi i tyre si dhe tema të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në mbledhje:


Faleminderit zonja ministre Bajrami,
I nderuar përfaqësues i Bashkimit Evropian, z. Zhbogar.
Të nderuar ministra,
Përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare,
Përfaqësues të odave ekonomike, asociacioneve të bizneseve
dhe të gjithë ju pjesëmarrës,
deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Qeveria ka themeluar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Është ky një forum shumë i rëndësishëm për ne, ku Qeveria dhe përfaqësues të bizneseve së bashku mund të shqyrtojnë dhe të adresojnë sfidat e tanishme dhe sfidat e ardhshme të zhvillimit të vendit tonë.

Ne me këtë synojmë fuqizimin e dialogut me sektorin privat, në drejtim të dizajnimit dhe të zbatimit të politikave zhvillimore të vendit.

Në Programin e Qeverisë kemi theksuar shumë qartë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të bazohen kryesisht në iniciativa private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik.

Në këtë aspekt, roli i Qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale, me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm të ekonomisë dhe të shoqërisë. Mendojmë se këto janë themelet më të forta që një Qeveri mund t’i ndërtoj, me qëllim të ndjekjes së reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Ne jemi të bindur se dialogu me sektorin privat, krijon baza për politika të favorshme të tregut, të cilat politika thellojnë reformat ekonomike dhe rrisin konkurrencën në treg.

Në këtë kuadër, ne dëshirojmë që përmes aktivizimit të këtij Këshilli të punojmë së bashku në përmirësimin e klimës investuese, të largojmë pengesat ndaj zhvillimit, ose të formulojmë politika specifike për sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, besoj se një Qeveri e cila e dëgjon sektorin privat, do të arrij me suksese të hartoj reforma të qëndrueshme dhe të fitoj  mbështetje për politikat e saj. Prandaj qasja jonë është që përmes diskutimit të përbashkët të mundësojmë ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit ndërmjet sektorit privat, Qeverisë dhe sektorit publik.

Në këtë takim të parë të Këshillit, dëshiroj të shpreh përkushtimin më të lartë timin dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një ndërveprim dhe dialog efektiv me sektorin privat, dhe që Qeveria ta marrë rolin dhe obligimin që të krijoj një platformë që sektori privat të zhvillohet, të fuqizohet dhe të jetë i suksesshëm, të siguroj zhvillimin ekonomik të vendit, dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Përmes këtij Këshilli, ne do ta ndihmojmë sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrjet e vendeve të ndryshme, duke rritur investimet e huaja në vend, dhe duke zgjeruar qasjen e bizneseve tona në tregjet globale.

Ju jeni të informuar se tashmë Qeveria është angazhuar të përgatis Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, duke bërë që për herë të parë Kosova të ketë një strategji zhvillimi afatgjatë, të fokusuar kryekëput në adresimin e rritjes ekonomike.

Kjo rritje ekonomike synohet të shënohet nëpërmjet rritjes së konkurrencës së ekonomisë së Kosovës dhe tregut rajonal, pastaj në tregun evropian dhe botëror, por edhe në rritjen e punësimit, si dhe përmes zhbllokimit të potencialeve ekonomike që deri më tani kanë mbetur të pashfrytëzuara, siç janë sidomos ato minerare dhe energjetike.

Po ashtu Koncept Dokumenti për Fondin për Investime dhe Punësim është duke u vazhduar me ritëm të shpejtë, dhe besojmë se së shpejti do ta kemi këtë Fond dhe efektet konkrete të këtij Fondi në zhvillimin ekonomik.

Ekonomia e Kosovës ka pasur normë më të lartë të rritjes në rajon dhe është karakterizuar me qëndrueshmëri makroekonomike. Por normat aktuale të rritjes nuk mjaftojnë që rritja ekonomike të absorboj fluksin e të papunëve që ka vendi ynë.

Rritja e deritanishme ekonomike, me një mesatare prej dy deri në katër për qind, e dominuar nga konsumi dhe nga investimet në sektorin publik, sidomos në infrastrukturë rrugore, si dhe e subvencionuar nga remitencat, nuk kanë arritur ta reduktojnë papunësinë në vend.

Prandaj, qëllimi më madhor i reformave ekonomike ka qenë dhe mbetet rritja e shpejt ekonomike, shndërrimi i Kosovës në një vend më tërheqës për investime të huaja, si dhe absorbimi i fuqisë e cila pret të punësohet.

Duke e bërë këtë, ne do të shtojmë interesimin e investitorëve të jashtëm për investime në fusha të ndryshme në vendin tonë, si në sektorin e energjisë, minierave, bankave, infrastrukturës, dhe sektorë tjerë të rëndësishëm, por edhe në sektorin e shërbimeve.

Ne do të trajtojmë të gjitha rrethanat dhe të bëjmë ndryshime të domosdoshme që të tërheqim investitorët e huaj, për aktivizimin efektiv të tregut të brendshëm të parasë, si dhe forcimin e shtetit ligjor dhe zgjidhjen e kontesteve ndërmjet bizneseve. Duhet ta shtojmë sigurinë e investitorëve dhe ta shtojmë besimin e tyre.

Investimet kryesore deri më tani kanë qenë ato publike, por vetëm fondet publike nuk janë të mjaftueshme ta zhvillojmë shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme ekonominë e Kosovës.

Me Strategjinë e re ne duhet të fokusohemi më shumë në thellimin e atyre reformave që përmirësojnë klimën e biznesit, që promovojnë partneritete publike private dhe tërheqin investime.

Në veçanti me këtë Strategji ne do të promovojmë ato prioritete që do të mund të sigurojnë një rritje ekonomike të paktën të dyfishuar në vitin 2020, bazuar në rritjen e produktivitetit të sektorit privat.

Unë edhe e zgjodha sot lansimin publik të vendimit tonë për hartimin e Strategjisë të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, për ta bërë pikërisht në këtë Forum, si një prej mekanizmave kryesor të shtytjes së dialogut me sektorin privat.

Ju dhe sektorët që përfaqësoni, jeni promotor të ekonomisë së Kosovës, prandaj prioritetet e kësaj Strategjie do të jenë në radhë të parë prioritete që e mbështesin aktivitetin tuaj ekonomik, që e mbështesin rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe rritjen e punësimit të qëndrueshëm.

Në muajt në vijim, ne do të kemi rastin të konsultohemi më gjerësisht lidhur me objektivat, prioritetet dhe masat e Strategjisë, dhe për këtë më lejoni të përsëris që unë dhe kabineti qeveritar e çmojmë thellësisht dhe me mirënjohje kontributin dhe vizionin tuaj për zhvillimin ekonomik të vendit.

Çështja e dytë qëndron në faktin se Strategjia Kombëtare për Zhvillim, vjen njëkohësisht si një moment i ri. Kjo lidhet në veçanti me perspektivën evropiane të Kosovës.

Harku kohor i Strategjisë, koincidon me Strategjinë e re të Bashkimit Evropian , “Evropa 2020”, ciklin e ri të planifikimit të asistencës së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit, por edhe me intensifikimin e procesit të integrimeve evropiane të Kosovës.

Kosova pret së shpejti të nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe të finalizoj procesin e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve, të mallrave dhe të liberalizimit të mëtutjeshëm të tregut.

Si rrjedhojë, dëshiroj të ritheksoj fuqishëm se kërkesa dhe dinamika e procesit të integrimeve evropiane, do të jetë boshti kryesor i vizionit tonë për zhvillim edhe në të ardhmen.

Këto objektiva do të mishërohen në frymën dhe vizionin e kësaj Strategjie. Po ashtu jemi mjaft konkret në kuadër të procesit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, proces ky i cili e ka përfshirë Kosovën si pjesë e rrjetit bazë, dhe ne synojmë që në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, të vazhdojmë avancimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe asaj të energjetikës.

Jemi në kontakt me organizatat financiare ndërkombëtare edhe për projektet në bujqësi dhe në ndërtimin e sistemit të ujitjes. Pjesë e rëndësishme e  objektivave tona strategjike do të jetë edhe synimi që zhvillimi i Kosovës të jetë i qëndrueshëm, ku potencialet e Kosovës të shfrytëzohen në harmoni me kërkesat e tregut, por edhe me vëmendjen maksimale për ruajtjen dhe promovimin e pasurive natyrore dhe të ambientit.

Pa dyshim që burimi kryesor për zhvillimin e Kosovës është potenciali ynë njerëzor, dhe fakti që kemi popullsinë më të re në Evropë. Arsimi dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore do të jetë një prej prioriteteve kryesore të Strategjisë Kombëtare, dhe ashtu është edhe prioritet i kësaj Qeverie edhe tani.

Më lejoni që në përmbyllje të kësaj fjale, duke e përsëritur edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë që unë drejtoj për një bashkëpunim të fuqishëm në hartimin e politikave zhvillimore të vendit, por edhe të mbikëqyrjes së zbatimit të tyre, do të mundësojmë që përmes kësaj platforme, të gjithë sektorët të japin kontributet dhe të japin sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre.

Ne do ta vazhdojmë dialogun që e kemi filluar me bizneset. Këtë dialog do ta zhvillojmë dhe bashkërendisim së bashku me ju. Aty do të vlerësojmë efiçencën e politikave ekonomike të cilat po i ndërtojmë dhe po i promovojmë, por edhe ndryshimet dhe përshtatjet e këtyre politikave karshi nevojave të bizneseve dhe stabilitetit makroekonomik të vendit, i cili është i domosdoshëm për ne.

Unë jam i bindur se ne kemi nevojë për një bashkëpunim të fuqishëm me sektorin privat, prandaj ju ftoj të gjithë juve që të jepni kontributin e juaj përmes ideve dhe adresimit të sfidave, më të cilat po ballafaqohen bizneset sot në aktivitetet e tyre ekonomike.

Falënderoj edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të z. Zhbogar, që gjithmonë janë me ne kur ne adresojmë çështjet zhvillimore dhe shfaqin interesimin dhe angazhimin e tyre konkret që të arrijmë rezultate më të mira në zhvillimin ekonomik si bazë themelore e zhvillimit social të Kosovës.

Faleminderit.

 

08.06.2015 12:44
Prapa

Agjenda ditore

14 dhjetor 2017

1.Kryeministri Ramush Haradinaj  merr pjesë në konferencën “Bujqësi e qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural”, organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

VENDI: Hotel Amazona
KOHA: 09:00

2. Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në takimin e 15-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë.

VENDI: Hotel Swiss Diamond
KOHA: 14:00

3. Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë përkujtimore në 19-vjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, Mujë Krasniqi.

VENDI: Salla e Kuqe-Pallati i Rinisë
KOHA: 16:00

 

Shkruaj Kryeministrit

KOSOVO IN UNESCO