Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Mbledhja e 127-të e Qeverisë së Kosovës

shkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 24.04.2013

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, zhvillo mbledhjen e saj të rregullt, e 127-ta me radhë. Në mbledhje janë aprovuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Kimikate i cili ka për qëllim menaxhimin e drejtë të kimikateve të rrezikshme, mbrojtjen dhe zvogëlimin e rrezikut të mundshëm nga ato. Projektligji përcakton kushtet për vendosjen në treg të substancave dhe përzierjeve të rrezikshme dhe mënyrën e kontrollimit të tyre. Gjithashtu me këtë projektligj përcaktohet edhe vlerësimi i rreziqeve dhe ndikimeve në shëndetin e njerëzve dhe në ambient të këtyre substancave.

Projektligji përcakton edhe procedurat për lëshimin e lejeve të qarkullimit, trajtimit dhe përdorimit të kemikateve. Do të hartohet një regjistër i kemikateve dhe i personave fizik dhe juridik që tregtojnë dhe përdorin kemikatet. Me këtë projektligji përcaktohen edhe kushtet për klasifikim, etiketim, paketim, importim, eksportim dhe transitin e tyre neper vendin tonë.

Projektligji përcakton edhe kushtet e vendosjes në treg të detergjenteve dhe mbështetet në parimin parandalues të rreziqeve nga kemikatet.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Rregulloren për Organizimin e Brendshme dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të kësaj ministrie dhe të organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj.

Koncept Dokumenti për Regjistrin e Mërgimtarëve, i cili është aprovuar sot në mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është hartuar nga Komisioni Qeveritar i themeluar me vendim të Qeveris së Kosovës.
Ky Koncept Dokument shtron nevojën e krijimit të një baze të të dhënave dhe të regjistrit të mërgimtarëve dhe shpërndarjen e tyre ne vendet të ndryshme të botës. Regjistri i Mërgimtarëve do të përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime tjera.

Ky regjistrim do të shërbejë për institucionet tona për hartimin e politikave për mërgatën dhe shpërndarjen e informatave si dhe inkurajimin e mërgatës për të marr pjesë në zhvillimet socio-ekonomike të vendit.
Krijimi i një pasqyre të drejtë të shtrirjes gjeografike, numrit, potencialit intelektual-ekonomik dhe social të diasporës do të mund të vihet në shërbim të zhvillimit të vendit.

Në kuadër të obligimeve dhe angazhimeve të Qeverisë në krijimin e kushteve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi përfundimtarë për shpronësimet shtesë të pronave të paluajtshme në Sektorin 8, përkatësisht në zonat kadastrale të Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.
Edhe vendimi përfundimtarë për shpronësimet shtesë të pronave në zonat kadastrale të Mazgitit dhe Llazarevës të komunës së Obiliqit dhe zona kadastrale e Dushanovës të komunës së Prizrenit, të cilat janë aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, janë në funksion të krijimit të kushteve për finalizimin e këtij projekti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin preliminar të shpronësimeve me interes publik të pronave në zonat kadastrale Uglare dhe Fushë Kosovës që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 000 (pesëdhjetëmijë euro), në mbështetje të projektit ATOMI të Qendrës për Studime dhe Shërbime Psikologjike dhe Sociale, për ofrimin e shërbimeve për nxënësit e shkollimit parauniversitar, të cilët janë zgjedhur për inteligjencë të jashtëzakonshme.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe 16 vendime për caktimin e zonave të mbrojtura dhe për masat e tyre mbrojtëse të burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore në Republikën e Kosovës:

1.    Vendimi për mbrojtjen e burimeve nëntokësore – “Uji i Zi, Uji i Bardhë, Galeria dhe Kanali i drenazhimit” në Komunën e Pejës;
2.    Vendimi për mbrojtjen e burimit ujor nëntokësorë – burimi i “Drinit të Bardhë” në Radavc, në komunën e Pejës;
3.    Vendimi për mbrojtjen e burimeve ujore nëntokësore – burimet e “Goçit, Lipovicës dhe te Livadhet” në komunën e Junikut;
4.    Vendimi për mbrojtjen e zonës së burimit ujorë “Lumi i Vogël”, Nerodime komuna  e Ferizajt;
5.    Vendimi për mbrojtjen e burimit të ujërave nëntokësorë – burimi i “Shkozës” në komunën e Junikut;
6.    Vendimi për caktimin e zonës së mbrojtur të burimit ujorë “Përroi i Pukës”, në Pleshinë të komunës së Ferizajt;
7.    Vendimi për mbrojtjen e Burimit të Ujit Istog, në komunën e Istogut;
8.    Vendimi për caktimin e zonës mbrojtëse të burimit të ujërave nëntokësorë “Letnicë” në komunën e Vitisë;
9.    Vendimi për mbrojtjen e burimit të ujit nëntokësorë “Vrellë” në komunën e Istogut;
10.    Vendimi për caktimin e zonës mbrojtëse për burimin e ujërave nëntokësore – burimi “Baja” në komunën e Gjilanit;
11.    Vendimi për caktimin e zonës mbrojtëse të burimit ujorë sipërfaqësorë – Akumulimi i Përlepnicës në Gjilan.
12.    Vendimi për caktimin e zonave mbrojtëse të burimit ujorë – “Përroi i Sylës” në Pleshinë të komunës së Ferizajt;
13.    Vendimi për caktimin e zonës së mbrojtur  të burimit ujorë sipërfaqësorë – Akumulimi i Radoniqit, komuna e Gjakovës;
14.    Vendimi për caktimin e zonës së mbrojtur për burimin ujorë sipërfaqësorë – Akumulimi i Batllavës në komunën e Podujevës;
15.    Vendimi për caktimin e zonës së mbrojtur për burimin ujorë nëntokësorë – “Guri i Hoxhës” në Përlepnicë, komuna e Gjilanit;
16.    Vendimi për caktimin e zonës së mbrojtur për burimin e ujit sipërfaqësorë – Akumulimi i Badovcit, komuna  e Prishtinës.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveri e Kosovës ka shqyrtuar dhe aprovuar Raportin Tremujorë të parë të Buxhetit, 1 janar 2013 – 31 mars 2013. Në këtë periudhë, të hyrat e Buxhetit kanë qenë 278 870 000 euro ndërsa shpenzimet 295 400 000 euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të viti të kaluar, të hyrat kanë shënuar një rënie prej 5%, ndërsa shpenzimet kanë shënuar një rritje prej 2%.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për procesin e suksedimit, vazhdimit të të gjitha marrëveshjeve bilaterale të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë me vende tjera, marrëveshje këto që nuk bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Prapa