Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt

shkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 13 mars 2013

Në mbledhjen e saj të rregullt, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka miratuar një varg dokumentesh dhe politikash nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka folur për aktualitetin politik në vend. Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi:

“Ne dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi prezantuar raportin për takimin e radhës në Bruksel me kryeministrin serb Ivica Daciq,. Dëshiroj të falënderoj shumicën e partive politike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për këtë proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore për fqinjësi të mirë. Në të njëjtën kohë dua të theksoj se tash jemi në fazë të rëndësishme apo përfundimtare të këtij procesi për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Sonte në mbrëmje dhe nesër paradite, baronesha Ashton do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, ku është planifikuar që të ketë takime më bartësit e institucioneve të Kosovës dhe me një pjesë të liderëve politikë.

Sa i përket Prishtinës, gjithçka është e qartë. Qëndrimet tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,  me ligjet tona dhe me standardet evropiane.

Përkushtimi ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri; fillimi i funksionimit të jetës normale; shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë në këtë pjesë të vendit; krijimi i kushteve dhe rrethanave të përshtatshme për lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas legjislacionit kosovar;  dhe në të njëjtën kohë, krijimi i kushteve të përshtatshme për organizmin e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore të vendit tonë në kohën kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën për nivelin lokal.

Zgjedhjet do të organizohen me ftesën tonë, nga OSBE-ja, por do të certifikohen nga KQZ-ja. Pastaj do të formohet edhe një asociacion i komunave me shumicë serbe, një asociacion, i cili do të ketë rregulloren e vetë të punës në baza vullnetare të bashkëngjitjes së çdo komune dhe shkëputjes në të njëjtën kohë, por gjithmonë pa asnjë mandat legjislativ dhe ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

E theksoj edhe njëherë se vizita e baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë e cila besoj që do të mund të lëvizë gjërat përpara, që të ndodhin këto marrëveshje më herët, por me theks të veçantë ne do të fokusohemi edhe në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmat implementues, edhe KFOR-i, edhe EULEX-i, edhe institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë ndërkombëtare, domethënë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unë sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me z. Philip Reeker. Është një mbështetje e vazhdueshme e SHBA-së për tërë procesin që po e zhvillojmë. Dua të potencoj përsëri, se edhe deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Nikoliq, kanë qenë deklarata për të kënaqur opinionin e vet të brendshëm, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe nga deklaratat e tij. E kam theksuar dje dhe e ritheksoj edhe sot, janë deklarata të mentalitetit të politikës së vjetër të Beogradit, që japin deklarata të ndryshme në rrethana të ndryshme, kur janë edhe të periudhave, siç e theksova edhe dje, nga Beteja e Kosovës, Rambuje, Marrëveshja e Kumanovës e deri në ditët e sotme. Por, sot është një rrethanë e re, jemi vende të pavarura dhe sovrane, synimi dhe qëllimi ynë është që të kemi fqinjësi të mirë si dy vende sovrane të integrohemi në NATO dhe BE, e për Kosovën të ketë lëvizje edhe për anëtarësim edhe në OKB. Prandaj, hymë më vullnet dhe përgjegjësi në këtë drejtim që të normalizojmë gjendjen në veri, por edhe raportet tona ndërshtetërore”,
ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin për honorarët e Bordeve të Drejtoreve dhe kategorizimin Ndërmarrjeve Publike. Sipas nenit 20 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, vendimi përcakton rregullat për lartësinë e kompensimit të anëtarëve të bordeve të  ndërmarrjeve publike qendrore sipas këtij kategorizimi: 

•    Kategoria e    I:          PTK, KEK, KOSTT, KKDFE dhe Posta e Kosovës;

•    Kategoria e    II:         Ibër Lepenc, InfraKos, TrainKos, ANP ”Adem Jashari”-
                                   Kontrolli Ajror dhe  KRU Prishtina;
•    Kategoria e    III:        Ndërmarrjet tjera të sektorit të ujësjellësit, ujitjes dhe
                                   mbeturinave.
Është miratuar edhe Vendimi për aprovimin e Politikave të Sektorit të Komunikimeve Elektronike – Agjenda Digjitale për Kosovën 2013-2020. Ky dokument përmban politikat e sektorit të Komunikimeve Elektronike të Qeverisë së Kosovës për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë.

Qëllimi i këtyre politikave është që të përkufizohen prioritetet, objektivat dhe detyrimet e zhvillimit të Teknologjisë Informative dhe për të maksimalizuar përparësitë sociale dhe ekonomike që ofrojnë këto teknologji, kryesisht interneti si instrument i rëndësishëm në aktivitete ekonomike dhe sociale. Objektiv i këtyre politikave është përmirësimi i cilësisë së jetës për banorët e Kosovës dhe për mjedisin afarist, përmes mundësive të krijuara për shfrytëzimin e Teknologjisë Informacionit si dhe rritja e përdoruesve të internetit në Kosovë, së paku deri në 85 për qind deri në vitin 2020.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shpronësim të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga  ndërtimi i rrugës nacionale N9, Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë, Zona Kadastrale Komoran, Komuna Drenas

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, është themeluar e Komisionit Punues për Regjistrimin e Bujqësisë. Ky vendim përcakton strukturën organizative, fushëveprimtarinë dhe përbërjen e Komisionit Punues për Regjistrimin e Bujqësisë.

Komisioni punues është organ ndërqeveritar dhe do të përbëhet nga:

•    Kryesues, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
•    Zëvendës kryesues, Agjencia e Statistikave të Kosovës;
•    Anëtar, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
•    Anëtar Ministria e Financave, anëtar;
•    Anëtar, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal;
•    Anëtar, Ministria e Punëve të Brendshme;
•    Anëtar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë;
•    Anëtar, Një (1) përfaqësues nga komuniteti serb;
•    Anëtar, Një (1) përfaqësues nga komunitetet tjera;
•    Anëtar, Një (1) përfaqësues nga Fakulteti i Bujqësisë;
•    Anëtar, Një (1) përfaqësues nga Shoqëria Civile, dhe
•    Anëtar, Një (1) përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Prapa

Agjenda ditore

24 prill 2014

1. Kryeministri Hashim Thaçi në lansimin e Shërbimit Financiar Jobankar në Postën e Kosovës

VENDI: Objekti Qendror i PTK- së, Dardania p.n.    
KOHA: 10:00

2. Kryeministri Hashim Thaçi mbanë ligjëratë  në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”

VENDI: Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”   
KOHA: 14:00

3. Kryeministri Hashim Thaçi në takim me komunitetin e biznesit në Pejë

VENDI: Hotel “Dukagjini” - Pejë   
KOHA: 18:00

Shkruaj Kryeministrit