Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Kryeministri Thaçi: Ka ardhur koha që institucionet tona të jenë në timon dhe të drejtojnë proceset

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 17 gusht 2012
 
Nën drejtimin e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka  zhvilluar mbledhjen e 87-të të rregullt të saj, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi falënderoi kabinetin për punën e madhe që po bëhet në përfundimin e të gjitha obligimeve, në kohën kur kanë mbetur tri javë deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar.
 
“Pavarësia e plotë do të thotë edhe përgjegjësi e plotë për neve. Pres nga ju të gjithë që t’i rrisni angazhimet dhe të përcillni mesazhe të qarta tek vartësit, që të kenë angazhim maksimal në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Vjeshta shënon fillimin e një etape të re të relacioneve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.  Është detyrë dhe obligim i yni që të prodhojmë sa më shumë argumente për partnerët për procesin e integrimit”, tha  kryeministri Thaçi.
 
Duke folur për mandatin e EULEX-it, kryeministri Thaçi theksoi se ky mandat qëllimisht është kufizuar deri në vitin 2014, pasi deri në atë kohë pritet nga prokurorët dhe gjytarët që të marrin përgjegjësitë e plota që ju takojnë.
 
“Ka ardhur koha që institucionet tona të jenë në timon dhe të drejtojnë proceset’ theksoi kryeministri.
 
Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar projektligji për punimet nga metalet e çmuara, që përcakton kushtet, mënyrën dhe veprimin e kontrollit të produkteve të punuara nga metalet e çmuara , si dhe koncept dokument për hartimin e  projektligjit për trashëgiminë kulturore.
 
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projekt-strategjinë për shërbime këshilluese për Bujqësi dhe Zhvillim rural për vitet 2012-2016, me të cilën synohet identifikimi i kërkesave të shërbimeve këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe zgjedhjen e tyre ndërmjet këshilltarëve të rrjetit të shërbimeve këshilluese.
 
Poashtu, është miratuar projekt-rregullorja për përcaktimin e  kushteve  të shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik dhe certifikimit veterinar për import të qumështit të papërpunuar, të përpunuar dhe produkteve të tij në Republikën e Kosovës,  si dhe projekt-rregullorja për vlerësimin e rezultateve në punë të nëpunësve civilë.
 
Qeveria ka miratuar Planin Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Diasporës dhe të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitet 2012-2014.
 
 
Me qëllim të bashkëpunimit të gjerë në mes të sektorit jo-qeveritar dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen dhe zbatimin e programit për barazi gjinore, është miratuar propozim emërimi i Komitetit Drejtues Ndër-Institucional për Zbatimin e Programit të Barazisë Gjinore të Kosovës, në ketë përbërje:
 
1.       Zv/Kryeministri/ja, (që mbulon çështjet gjinore) Kryesues/e;
2.       Kryeshefi/ja Ekzekutiv/e i/e Agjencisë për Barazi Gjinore  Zv/Kryesues/e;  
3.       Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Anëtar/e ;
4.       Ministria e Shëndetësisë, Anëtar/e;
5.       Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anëtar/e;
6.       Ministria e Drejtësisë, Anëtar/e;
7.       Ministria e Tregtisë dhe Industrisë , Anëtar/e;
8.       Ministria e Pushtetit Lokal, Anëtar/e.
 
Gjatë kësaj mbledhje, është marrë vendim edhe për shpronësim për Autostradën Vërmicë-Merdare, Sektori 9.1,  Zonat Kadastrale Mazgit dhe Llazarevë, Komuna Obiliqit, si dhe shpronësimi për rrugën N9 Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë, Zonat Kadastrale Fushë Kosovë, Vragoli, Sllatinë e Madhe, Sllatinë e Vogël, Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës dhe Zonat Kadastrale Koreticë e epërme, Sankoc, Zabel i epërm, Komoranë, Llapushnik dhe Arllat, Komuna e Drenasit.
 
Me propozim të këshillit për pozita të nivelit të lartë drejtues, i është zgjatur mandati edhe për tri vite Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

Prapa