Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Takimi i Grupin Ndërkombëtar Drejtues në Vjenë vendosë për dhënien fund mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Vjenë, 02 korrik 2012
 
Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me Grupin Ndërkombëtar Drejtues (GND)
 
Të nderuar përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar Drejtues,
I nderuari Përfaqësues Ndërkombëtar Civil, z. Pieter Feith,
Ambasadorë,
Zonja dhe Zotërinj,

 
Si gjithmonë, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që t’ju drejtohem në këtë mbledhje të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND). Më lejoni të theksoj edhe njëherë mirënjohjen më të lartë të Kosovës për shtetet e përfaqësuara sot këtu dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
 
Që kur Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, ka pasur ndihmën dhe mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse, që trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
Në javët dhe muajt që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Kosova kërkoi udhëzime dhe pranoi nga bashkësia ndërkombëtare ndimën e saj të gjithëanshme në procesin e rëndësishëm të shtet-ndërtimit. Mirëpo, tani institucionet tona janë të gatshme të dalin nga ombrella e mbikëqyrjes suaj, dhe të përfshijnë parimet e Propozimit Gjithëpërfshirës në ligjet dhe Kushtetutën moderne, me qëllim që t’i shërbejnë kombit plotësisht të pavarur. 
 
Menjëherë pas takimit të fundit të GND në janar, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Parlamenti unanimisht kanë miratuar rezolutën që shpreh përkushtimin tonë për të përfunduar detyrat e mbetura, të identifikuara në takimin e Vjenës.
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj;

 
Institucionet e Kosovës  kanë punuar dhe janë duke punuar maksimalisht për të siguruar njohje të reja dhe dua ta shfrytëzoj këtë moment t’ju falënderoj për përkrahjen e palodhshme dhe të çmueshme që kanë dhënë përfaqësuesit e vendeve të cilat ju i përfaqësoni këtu.
 
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të konsolidohen sipas planit të paraparë dhe si rezultat tani janë të gatshme për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë shtetërore.
 
Në vazhdën e pjekurisë institucionale, Komisioni për reformën zgjedhore të zgjedhjes së presidentit dhe Komisioni për reformën e zgjedhjeve të përgjithshme kanë vazhduar ritmin intensiv të punës së tyre. Komisionet tani janë në proces të finalizimit të shumicës së rekomandimeve të nevojshme për reformë zgjedhore. Shpresojmë që ky hap do të jetë edhe një hap drejt vendosjes së parametrave të nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, sipas standardeve evropiane.
 
Po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës ka miratuar legjislacionin i cili reformon procedurat e ndërtimit, taksave, si dhe ndërmarrjeve publike, si dhe ka miratuar legjislacionin mbi trashëgiminë fetare dhe kulturore. Këto reforma kyçe kanë forcuar edhe mëtutje parimet e decentralizimit, mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, si dhe masat mbrojtëse për minoritetet. Përkushtimi ynë për të implementuar këto ligje siguron që fryma e Planit të Ahtisarit do të vazhdojë gjatë edhe pas përfundimit të mandatit të Zyrës Ndërkombëtare Civile.
 
Kuvendi gjithashtu ka miratuar amandamentimin e 21 ligjeve të ndërlidhura me përfundimin e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.
 
Po ashtu Kuvendi ka monitoruar dhe raportuar para sesioneve një numër të madhe të ligjeve sipas agjendës legjislative dhe ka vazhduar mbikëqyrjen e punës së ekzekutivit, sipas parimeve të demokracisë.
 
Ka vazhduar reforma e administratës publike, bazuar në rekomandimet e Raportit të Progresit. Edhe pse ky është një proces kompleks kam besim se gjatë këtij viti do të përfundojë faza e parë e reformës. Ne do të punojmë së bashku me përkrahjen tuaj në avancimin e një administrate publike të pavarur, efikase dhe të përgjegjshme të Kosovës, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.
 
Të nderuar përfaqësues,
 
Me theks të veçantë para jush dua të paraqes vazhdimin e reformimit të gjyqësorit dhe në të njëjtën kohë thellimin e luftës së pa kompromis kundër korrupsionit.
 
Në shkurt 2012, Presidentja e Republikës së Kosovës, ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili këshill ka për qëllim t’i kanalizojë dhe koordinojë aktivitetet e institucioneve në implementimin e veprimeve dhe prioriteteve në luftën kundër korrupsionit, si dhe zbatimin e legjislacionit përkatës.
 
Sa i përket gjyqësorit ka vazhduar kompletimi i legjislacionit dytësor dhe i rregulloreve të nevojshme për funksionim të mirëfilltë të tij. Poashtu është rritur numri i gjyqtarëve nëpër të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe kanë vazhduar trajnimet e nevojshme profesionale. Lufta kundër korrupsionit ka zënë një vend të veçantë në këtë aspekt, ku kanë vazhduar punën e tyre si Prokuroria Speciale, po ashtu edhe Task Forca kundër korrupsionit.
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
 
Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë këtu edhe Serbinë. Kosova synon të jetë faktor stabiliteti në rajon dhe të jap kontributin e saj pozitiv në arritjen e stabilitetit dhe progresit rajonal. Siç e dini, ne iu kemi qasur dialogut për çështje teknike me përkushtim, duke pasur si synim parësor mirëqenien e qytetarëve.
 
Rendi dhe sundimi i ligjit duhet të zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës. Duhet të vendoset sovraniteti i plotë dhe tërësia territoriale, siç edhe e parasheh Plani Gjithëpërfshirës në tërë territorin e Kosovës, të cilin vendet dhe qeveritë e juaja e kanë njohur dhe kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në mbajtjen e tij.
 
Një sfidë me të cilën vazhdojmë të ballafaqohemi është se si mund të zhvillojnë institucionet e Kosovës një marrëdhënie me komunitetin serb në veri. Në maj të këtij viti, ne kemi deklaruar qëllimin tonë që t’u afrohemi më afër qytetarëve tanë atje, duke marrë vendimin për hapjen e Zyrës Administrative të Mitrovicës Veriore.
 
Kur kjo zyrë të hapë dyert e saj brenda disa javësh, jo vetëm që do të ofrojë shërbime komunale për qytetarët, por gjithashtu do të sigurojë se parimet e decentralizimit dhe qeverisjes lokale të përdoren në praktikë. Jemi të inkurajuar me numrin e madh të aplikantëve, shumica prej tyre nga komuniteti serb, që kanë shpreh gatishmërinë për të udhëhequr dhe shërbyer komunitetin e tyre.
 
Ne jemi të vetëdijshëm se shumica dërmuese e qytetarëve serbë në veri nuk duan të jetojnë të izoluar dhe nën presionin e grupeve, të cilat i maskojnë interesat kriminale dhe të kontrabandës me ato politike.
 
Unë jam i përkushtuar që të zhvilloj një dialog me të gjithë ata qytetarë që duan një jetë normale, shkollim cilësor për fëmijët e tyre dhe të ardhme evropiane. Duhet të formohet sa më shpejt komuna e Mitrovicës së Veriut, duhet të ketë sundim të ligjit dhe duhet të ketë zgjedhje të lira të cilat do të prodhojnë liderë legjitimë lokalë atje.
 
Qartazi, çështja e krimit të organizuar, kontrabandës, strukturave paralele dhe bllokadave në veri të Kosovës është sfidë që po përcjellë Kosovën. Bllokimi i lirisë së lëvizjes dhe mallrave nga kushdo qoftë është i papranueshëm. Me këtë rast dua t’i falënderoj KFOR-in dhe EULEX-in për punën e tyre, por ka mbetur edhe shumë për t’u bërë për të siguruar një mjedis ligjor dhe demokratik.
 
Unë dua të shfrytëzoj rastin, që edhe një herë, të ju falënderoj ju dhe nëpërmjet juve vendet të cilat përfaqësoni për përkrahjen e madhe që kemi pasur për hapjen e kësaj zyre. Shpresoj se bashkërisht edhe në të ardhmen do të kalohen këto sfida, duke vendosur zbatimin e rendit dhe ligjit, dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e saj.
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
 
Marrëdhëniet me komunitetet kanë përparuar në mënyrë substanciale. Pjesëmarrja e komuniteteve dhe integrimi i tyre në jetën institucionale ka qenë i kënaqshëm. Në veçanti komuniteti serb ka vazhduar të integrohet në jetën institucionale. Pjesëmarrja e këtij komuniteti, përveç në pjesën veriore të Kosovës, është e kënaqshme.
 
Agjenda e qeverisë për integrimin e komuniteteve ka vazhduar të zbatohet me projekte dhe modalitete të ndryshme të bazuara në Planin Gjithëpërfshirës, si modeli më i mirë që mundëson fuqizimin e një shoqërie shumetnike në Kosovë.
 
Në këtë kuadër ka vazhduar plani i decentralizimit me plotësimin e agjendës legjislative dhe duke u bazuar në suksesin e integrimit të komunitetit serb në jug në veçanti dhe komuniteteve tjera në përgjithësi, Qeveria e Kosovës në bashkërendim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar ka hartuar planet për përfshirjen e komunitetit serb në veri të lumit Ibër. Kjo agjendë ka filluar së zbatuari duke finalizuar politikat e gjuhës, si dhe kemi themeluar Zyrën e Komisionerit për Gjuhë. Procesi i rekrutimit të Komisionerit për Gjuhë është cilësuar si transparent dhe është përmbyllur me sukses.
 
Sa i përket avancimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nga Parlamenti është miratuar Ligji për qendrën historike të Prizrenit dhe për Hoqën e Madhe.
 
Gjithashtu, Kosova ka implementuar programe me prioritet këta gjashtë muajt e fundit. Qeveria ka arritur progres në implementimin e Ligjit për Personat e Zhdukur, si dhe zgjidhjen e rasteve të hapura.
 
Kemi përmirësuar komunikimin me Zyrat komunale për Komunitete dhe Kthim, duke përcaktuar ritëm më të shpeshtë dhe të rregullt të takimeve.
 
Për më tepër, kemi miratuar vendimin për Planin kombëtar për drejtësinë tranzicionale, si mënyrë për t’u ballafaquar me të kaluarën e konfliktit të vitit 1999. Qeveria ka themeluar grupin punues ndërministror me përgjegjësi të qartë për të çuar këtë proces përpara.
 
Ne e kuptojmë që implementimi i të gjitha dispozitave dhe frymës së Dokumentit Gjithëpërfshirës duhet të vazhdojë para dhe pas përmbylljës zyrtare të pavarësisë së mbikqyruar.
 
Unë si kryeministër, ju siguroj se Kosova është e përkushtuar për ta bërë një gjë të tillë.
 
Në vazhdim të kësaj vere, Qeveria e Republikës së Kosovës përveç që do të miratoj ligjislacionin relevant, ne do të përzgjedhim dhe emerojmë drejtorin e kanalit serb të RTK-së, do të emërojmë Komisionerin për gjuhët dhe do të punojmë bashkë me përfaqësuesit e komuniteteve që të themelojmë këshillat përkatëse të parapara me ligjet për Prizrenin dhe Hoqën e Madhe.
 
Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjën tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës.
 
Dua që të jeni të sigurtë që qeveria të cilën udhëheq unë, mbetet thellësisht e përkushtuar në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
 
Në këtë aspekt, ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014.
 
Agjenda qeveritare do të vazhdojë me një sërë objektivash tjera gjatë këtij viti, ku do të krijohen të gjitha mundësitë ligjore dhe një ambient i favorshëm për jetë të qetë, me të drejta të plota, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
 
Të nderuar,
 
Siç theksova më lartë Kosova vazhdon të ballafaqohet ende me sfida në synimet për krijimin e një shoqërie shumetnike në Kosovë. Serbia ka vazhduar të ndërhyjë në veri, duke përdorur metoda të ndryshme të pengojë integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare. 
 
Po ashtu, edhe sfidat si krimi i organizuar, kontrabanda, dhe liria e lëvizjes në atë pjesë vazhdojnë të jenë të pranishme. Këto sfida do të kenë ndikim negativ në shumë aspekte që qeveria synon t’i adresojë këtë vit.
 
Por, edhe këto sfida nuk janë të pakalueshme duke u bazuar në qëllimet e Qeverisë për krijimin e një shteti shumetnik, ku të gjitha komunitetet në Kosovë do të jetojnë të lira, bazuar në parimet më të mira ndërkombëtare, siç edhe i paraqet Plani i Ahtisarit.
 
Në preambulën e Planit të Ahtisarit, z. Ahtisari shkroi, “autoritetet e Kosovës përfundimisht mbajnë përgjegjësi dhe japin llogari për implementimin e propozimit gjithëpërfshirës të statusit. Ato do të kenë sukses në këtë përpjekje vetëm me përkushtimin dhe pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve, duke përfshirë në veçanti, serbët e Kosovës.”

Viteve të kaluara, ne kemi parë se suksesi është i mundshëm dhe e di se mund të jemi të suksesshëm përgjatë tërë Kosovës me përkushtim dhe këmbëngulje të njëjtë.
 
Zonja dhe Zotërinj;

 
Ne e kemi konsideruar dialogun si një mundësi të mirë edhe në avancimin e Kosovës dhe rajonit drejt integrimeve evropiane, për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe për të forcuar funksionimin e shtetit të Kosovës.
 
Është e qartë se ne nuk mund të humbim kohë në këtë proces, sepse mirëqenia e qytetarëve që është e ndërlidhur ngushtë me procesin e integrimeve Euro-atlantike kërkon vendime konkrete dhe zbatim të vendimeve dhe marrëveshjeve.
 
Prandaj, ju bëj thirrje që të vazhdoni presionin e juaj ndaj Serbisë në këtë proces dhe që marrëveshjet e arritura të implementohen nga ana e Serbisë. Kushtëzimet e Bashkimit Evropian dhe ndikimi duhet të vazhdojë që Serbia të implementojë marrëveshjet e arritura në dialog, por gjithashtu që të tërheq institucionet e saj paralele, sidomos ato të MPB-së dhe BIA-s.
 
Zonja dhe Zotërinj;
 
Kosova ka vazhduar zbatimin e reformave në kuadër të agjendës Evropiane, të cilat reforma njëkohësisht janë edhe thelbi i zhvillimit të shoqërisë. Me fjalë të tjera janë pjesë përbërëse e agjendës zhvillimore.
 
Kosova ka mirëpritur miratimin e Konkluzioneve të Komisionit Evropian nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian të cilat hapin mundësi që Kosova të përparojë në dialogun për liberalizimin e vizave, çështjet tregtare, anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe pjesëmarrjen në programet e BE-së.
 
E para është materializuar me vizitën e Komisionerës për Punë të Brendshme, të Komisionit Evropian, Cecilia Malmström më 19 janar 2012, duke shpallur fillimin e dialogut për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Evropian, dhe tani në qershor Kosova ka pranuar zyrtarisht Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
 
Prandaj dëshiroj të theksoj se ky zhvillim paraqet fillimisht një sukses për institucionet e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, komunat, komisionet parlamentare, me përkrahjen gjithëpërfshirëse të tërë spektrit politik kosovar.
 
Para së gjithash, ky zhvillim paraqet një sukses për të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe padyshim se i dedikohet atyre në veçanti. Shumë shpejtë qytetarët e Kosovës të të gjitha shtresave do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, për qëllimi turizmi, studime, zhvillim të biznesit dhe të tjera.
 
Në këtë aspekt, Kosova gjithashtu gjatë qershorit ka dorëzuar pyetjet në pyetësorin prej 444 pyetjeve, që shënon fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ekipi vlerësues nga Komisioni Evropian ka qëndruar në Kosovë javën e kaluar për të vërtetuar gjendjen faktike, dhe ne jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha rekomandimet dhe detyrat që dalin nga ky proces.
 
Zonja dhe Zotërinj;
 
Dua të shpreh edhe një herë konsideratën time të lartë për punën e madhe që ka bërë Zyra Ndërkombëtare Civile në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës. Ndihma që Zyra Ndërkombëtare Civile i ka ofruar institucioneve të Kosovës, e në mënyrë të veçantë Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë e pazëvendësueshme.
 
Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë.
 
Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre. 
 
Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë.
 
Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që t’a bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit.
 
Kosova mbetet e zotuar për implementimin e plotë të Planit Ahtisaari dhe ne dëshirojmë të përfundojmë zotimet tona sa më shpejtë që është e mundur.
 
Unë ju shpreh përkushtimin tim si kryeministër për një qasje shumë të përgjegjshme dhe serioze për të gjetur mënyrën e duhur të komunikimit me komunitetin serb, që jeton në veri të vendit.
 
Ne nga ana jonë, do të bëjmë gjithë çfarë është e mundur që ata të kenë besim tek ne dhe tek liderët e tyre lokal që ata duhet t’i zgjedhin lirshëm.
 
Unë sot, mund të iu konfirmoj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka plan konkret gjithëpërfshirës për ta ndryshuar për të mirë situatën në veri të Kosovës. Por, për të realizuar çfarëdo veprimesh atje, duhet të sigurohet liria e lëvizjes.
 
Zonja e zotërinj;
 
Përmbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë po shoqërohet edhe me ndryshimet e domosdoshme në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë jam i bindur që Qeveria dhe parlamenti i Kosovës me përkushtim po e bëjnë punën e tyre.
 
Në fund më lejoni që në emër të popullit tim, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shpreh mirënjohjen dhe konsideratën time të lartë për mbështetjen dhe për besimin që ju Grupi Ndërkombëtar Drejtues keni pasur në institucionet e Kosovës.
 
Presim me padurim të jemi nikoqir juaji në takimin përmbyllës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues në Prishtinë, që të festojmë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe fillimin e një epoke të re të partneritetit të vërtetë me bashkësinë ndërkombëtare.
 
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Prapa