Kryeministri Thaçi: Studimi i Fizibilitetit e dërgon Kosovën në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, i cili paraqet hapin më të rëndësishëm që i është ofruar Kosovës deri më sot në procesin e integrimit evropian
shkarko me rezolucion më të madh
shkarko me rezolucion më të madh
shkarko me rezolucion më të madh
Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e dymbëdhjetë të Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane
Të nderuar zëvendëskryeministra
Ministra
Zëvendësministra
Viti 2012 po shënon një kthesë të madhe në rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian përmes intensifikimit të agjendës evropiane.
Për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi shënuar progres konkret në avancimin e marrëdhënieve zyrtare mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Pra, përmes Pyetësorit dhe Studimit të Fizibilitetit ne po hapim rrugë drejt fillimit të negocimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Poashtu këtë vit kemi pranuar Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, kemi filluar dialogun e strukturuar me Bashkimin Evropian edhe në fushën e sundimit të ligjit.
Misioni Faktmbledhës i Komisionit Evropian ka qëndruar në Kosovë gjatë periudhës 18-22 qershor, me çrast ka mbledhur informatat e nevojshme për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit që pritet të publikohet në tetor 2012.
Studimi i Fizibilitetit e dërgon Kosovën në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, i cili paraqet hapin më të rëndësishëm që i është ofruar Kosovës deri më sot në procesin e integrimit evropian.
Duke ditur shqetësimet e disa prej vendeve anëtare, Kosova duhet të sigurohet që obligimet që dalin nga ky proces të përmbushen sa më shpejt që është e mundur, dhe në atë mënyrë që nuk lejojnë hapësirë për komplikime të panevojshme.
Për këtë arsye kërkoj nga ju që të siguroheni që institucionet tuaja po bëjnë përpjekjet maksimale për tu përgatitur për një ushtrim si ky.
Sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe përfundimit të Studimit të Fizibilitetit, ka përfunduar faza e parë e procesit të zhvillimit të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, me dërgimin e përgjigjeve në Pyetësorin e Këshillit Evropian.
Gjithashtu ka përfunduar Misioni Faktmbledhës i BE-së. Tani na mbetet të përgatitemi për fazën e dytë të këtij studimi. Ajo çfarë duhet të bëhet është që së bashku në shërbimet tuaja të adresoni sfidat që tanimë janë identifikuar me anëtarët e Misionit të javës së kaluar, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Të nderuar të pranishëm
Zëvendëskryeministra
Ministra
Tanimë veç e kemi pranuar Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kemi zhvilluar struktura që do të merren me koordinimin e këtij procesi dhe hartimin e një raporti të gatishmërisë për secilin kriter që gjendet në udhërrëfyes.
Edhe në këtë fushë, kërkoj nga të gjitha institucionet e përfshira, të sigurohen se përfshirja në këtë proces të jetë adekuate, dhe të konsolidohen kapacitete e tyre për implementim sa më të shpejt të kritereve.
Të nderuar të pranishëm
Siç kam përmendur në letrën që ua kam dërguar ditë më parë, tani duhet të fokusohemi të gjithë me përkushtimin më të lartë, në implementimin e çështjeve të identifikuara për tu implementuar deri më një shtator 2012.
Normalisht, implementimi i këtyre obligimeve duhet të bëhet duke respektuar të gjitha procedurat dhe siguruar nivelin më të lartë të cilësisë.
Lidhur me monitorimin e veprimeve të kërkuara për implementimin, ne do të mbajmë një takim të Këshillit Ndërministror, menjëherë pas afatit të përcaktuar, pra menjëherë pas një shtatorit
Edhe njëherë ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
Lajme

