Kryeministri Thaçi: Mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera
shkarko me rezolucion më të madh
shkarko me rezolucion më të madh
Prishtinë, 27 qershor 2012
Fjala e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi mbajtur në konferencën mbi marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit të organizuar nga OSBE
I nderuari kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Krasniqi,
I nderuar ambasador Almhofer,
Të nderuar të gjithë të pranishëm
Më lejoni t ju përshëndes në emër të Qeverisë së Kosovës . E përgëzoj organizatorin për këtë iniciativë të rëndësishme për të trajtuar çështje të punës së legjislativit dhe ekzekutivit. Duke pasur parasysh rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e qartë të pushteteve të legjislativit, ekzekutivit dhe të gjyqësorit funksionimi i këtyre institucioneve në përputhje me Kushtetutën përbën themelin e sistemit demokratik të shtetit të Kosovës.
Në këtë aspekt forcimi i rrolit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në Kosovë. Përmirëson punën e Qeverisë sa i përket performancës dhe siguron që si institucion i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit, të sigurohet se zëri dhe vullneti i qytetarëve tanë të respektohet.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi midis Kuvendit dhe Qeverisë është shtyllë kryesore e qeverisjes së mirë dhe demokracisë . Po ashtu të gjithë e dimë se asnjë shtet demokratik nuk mund të lëvizë përpara me reforma demokratike nëse nuk ka legjislacion i cili u shërben këtyre reformave të vazhdueshme që janë në hap me kohën.
Të nderuar të pranishëm
Si parakusht themelor i ndërtimit të legjislacionit modern që i shërben funksionimi të demokracisë është bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kuvendit dhe ekzekutivit në shërbim të interesit të qytetarit dhe të forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor.
Në kuadër të shtetndërtimit të Kosovës, bashkëpunimi i ekzekutivit dhe kuvendit ka shërbyer në krijimin e kornizës ligjore të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe dispozitat e Planit të presidentit Ahtisari .
Pra bashkëpunimi midis dy shtyllave të shtetit të Kosovës të cilat kanë obligime dhe përgjegjësi të ndara ka mundësuar që Kosova të përmbyllë të gjitha obligimet ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e minoriteteve , decentralizimin dhe obligimet tjera që dalin nga Plani i presidentit Ahtisari .
Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë përfundon këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera.
Në kuadër të procesit të integrimit të Kosovës në BE bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Kuvendit është edhe më tej i domosdoshëm . Implementimi i agjendës evropiane përmes adoptimit të ligjeve që janë në përputhje me atë evropian dhe përafrimit të legjislacionit është i pamundur nëse nuk ka bashkëpunim të ekzekutivit dhe legjislativit. Në këtë drejtim Kosova është shembull .
Në të njëjtën kohë bashkëpunimi dhe dialogu i Qeverisë dhe Kuvendit i mundëson shtetit tonë që afatet e përcaktuar çdo vit nga BE lidhur me adoptimin e legjislacionit janë të përmbyllura me kohë , në mënyrë që raporti i Progresit dhe vlerësimet tjera që dalin prej tij të jenë sa më pozitive.
Të nderuar të gjithë të pranishëm
Procesi i integrimit është një proces afatgjatë që kërkon reforma të thella , ky bashkëpunim vetëm sa do të thellohet gjithmonë duke respektuar përgjegjësitë dhe obligimet e ndara që kanë këto dy shtylla të shtetit .
Sa i përket ngritjes së rolit monitorues si në aspektin kuantitav ashtu edhe në atë cilësor ne kemi propozuar që nga viti 2008 që Kuvendi sidomos në adoptimin e legjislacionit të BE-së ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve administrative dhe kuadrit ligjor që i mundëson komisioneve funksionale të bëjnë punën e vet përmes ofrimit të këshillave profesionale dhe ekspertë të fushave adekuate.
Në fund mund të themi se dialogu i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi i Kuvendit dhe Qeverisë është bashkëpunim në interes të forcimit të shtetit tonë demokratik dhe ligjor. Nga ana e jonë si ekzekutiv do të vazhdojmë të jemi të hapur transparent dhe shumë bashkëpunues me Kuvendin e Republikës së Kosovës me qëllim që të sigurohemi që Kosova të thelloj reformat , të miratoj ligje bashkëkohore dhe sipas standardeve evropiane dhe do të kujdesemi që këto ligje të implementohen.
Ju faleminderit
Lajme

