Ligjërata e kryeministrit Hashim Thaçi në Klubin Atlantik në Sofje
shkarko me rezolucion më të madh
Ligjërata e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e mbajtur në Klubin Atlantik, më 19 qershor 2012, në Sofie, Bullgari
Zonja dhe zotërinj,
Së pari ju faleminderit për ftesën, dhe më lejoni të theksoj se jam i nderuar të jem sot këtu dhe të ju informoj mbi zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës.
Javët e kaluara KFOR-i largoi disa barrikada në veriun e Kosovës të cilat u përcjellën me protesta nga disa pjesëtarë të komunitetit serb të cilët sulmuan përfaqësuesit e KFOR-it, ku u plagosën rëndë me armë të zjarrit disa ushtarë të KFOR-it gjerman, ngjarje këto që më përkujtuan brishtësinë e paqes që po e lija pas.
Gjithashtu në muajin prill, një qytetar i komunitetit shqiptar është vrarë në pjesën veriore nga një akt terrorist, pikërisht për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në atë pjesë.
Pse ndodhin gjëra të këtilla? Përse vazhdohet vështirësimi i zhvillimit të Kosovës? Mbi të gjitha: çfarë duhet të bëhet për ta tejkaluar trashëgiminë e urrejtjes ndër-etnike, të inateve politike dhe pengesave zhvillimore?
Të nderuar miq,
Republika e Kosovës këtë vit ka festuar katër vjetorin e pavarësisë, i cili përvjetor gjithashtu shënon edhe përmbylljen edhe fillimin e disa proceseve shumë të rëndësishme për historinë e hershme të Kosovës.
Këtë vit Republika e Kosovës është duke përmbyllur me sukses procesin e pavarësisë së mbikëqyrur. Proces ky i cili në vete ngërthen reforma kushtetuese, reforma të ligjeve relevante, por gjithashtu edhe reforma zgjedhore, të gjitha këto me qëllim të fuqizimit të demokracisë në Kosovë por edhe promovimin e një shoqërie multi-etnike.
Gjithashtu pak ditë para vizitës sime, Kosova pranoi udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, por edhe pret zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian nga Brukseli, të cilët do të angazhohen për përmbylljen e studimit të fizibilitetit, studim ky që do hap rrugë për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, përkatësisht fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Përfundimisht, është kjo mundësi për ne për ti shpjeguar sfidat tona dhe gatishmërinë tonë për ti zgjidhur bashkërisht.
Në aspektin ekonomik, Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron eliminimin e barrierave të zhvillimit ekonomik, ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal dhe fuqizimin e sektorit privat si prioritetet kryesore.
Kështu, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke investuar në projekte kapitale në fushën e infrastrukturës rrugore, në sektorin e energjisë dhe atë të edukimit.
Po ashtu, kemi filluar programin Të Bërit Biznes që ka qëllim përmirësimin e mjedisit afarist. Principi bazë i të gjitha këtyre aktiviteteve është Qeverisja e Mirë.
Tani Kosova është shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Kosova është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankë Botërore. Së shpejti, Kosova do të anëtarësohet edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Si rezultat i kësaj, norma mesatare e rritjes ekonomike është vlerësuar të jetë mbi 5%. Normë kjo e cila është dy herë më e lartë se në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë dhe dy herë më e lartë se ajo e vendeve fqinje.
Megjithatë, Kosova vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida: të ardhurat për kokë banori janë ndër më të ulëtat në rajon, norma e papunësisë është relativisht e lartë dhe ka varësi të lartë nga importi. Mirëpo, Qeveria është e përkushtuar të ballafaqohet me këto sfida me seriozitetin më madh.
Si kurdoherë më parë, përkrahja nga vendet e rajonit anëtare të Bashkimit Evropian, dhe udhëheqja e fuqishme amerikano- evropiane, është e domosdoshme për ta ndihmuar rajonin në tejkalimin e dallimeve të ndërsjella.
Është e domosdoshme për ti siguruar banorët dhe popujt e tij në përfitimet zhvillimore që mundësohen nga arsyeja, toleranca, drejtësia dhe demokracia.
Këto vlera, për të gjithë kosovarët pa dallim, përjetohen si parimet kryesore të vlerave evropiane. Tash e së paku njëzet vjet, si të tilla janë promovuar në sferën tonë publikejanë afirmuar, janë pranuar nga një popull i tërë dhe kanë rindërtuar shoqërinë e shtetit të sotëm të Kosovës.
Sot e tutje, zbatimi dhe ritheksimi i tyre vazhdon të jetë i domosdoshëm për ta funksionalizuar ambientin tonë shumë-etnik. Është pikërisht vizioni për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, pra integrimit euro-atlantik, ajo për të cilën më së shumti ka nevojë një popull i vogëli lodhur nga konfliktet historike, por i gatshëm për ta shkruar historinë e re.
Një histori të paqes dhe zhvillimit në të cilën Kosova do të imponohet si model shoqëror i shuarjes së dallimeve përmes pranimit të tyre; i tejkalimit të ndasive përmes integrimit--i shuarjes së armiqësive përmes arsyes, mirëkuptimit dhe kompromiseve.
Të nderuar miq,
Vendi i Kosovës është brenda familjes së madhe të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi dhe barabarësia brenda saj mbetet udhërrëfim i shpresësjo vetëm për shtetin e Kosovës, por për të gjithë popujt e rajonit.
Zhvillimi i shoqërive tona mbi parimet që ndërtuan Evropën e Pasluftës së II Botërore është modelsa i ndërlikuar, aq edhe i suksesshëmi ndërtimit të ardhmërisë ashtu që e kaluara të mos përsëritet.
Kosova nuk ka se si të mos pajtohet me një synim të tillë. Historia e viteve tona të pasluftës dëshmon për procese politike ku përfaqësuesit kosovarë ishin të gatshëm për largëpamësi në veprime dhe për arsyeshmëri në vlerësime.
Sikur në procesin e Rambouilletit, 13 vjet më herët, ashtu edhe sot në takimet e Brukselit, udhëheqja shtetërore e jona dëshmon gatishmërinë e vet që ti pranojë vendimet sfiduese të së sotmes për hir të lehtësimit të jetës së nesërme.
Mbi të gjitha, kosovarët e kanë kuptuar se anëtarësimi në familjet e mëdha demokratike nuk mund të bëhet përmes pengimit të zhvillimit të tjetrit. Personalisht jam thellësisht i bindur se i gjithë rajoni do të humb, nëse portën e hapur të Bashkimit Evropian përpiqet ta mbyllë pas vete, për të tjerët. Veprimet e tilla janë fundamentalisht kundër-produktive dhe kundër-evropiane.
Mendoj se, në këtë kontekst, i kuptoj edhe kufizimet në veprim të faktorëve udhëheqës në Bashkimin Evropian. Përpiqem ti kuptoj edhe hezitimet, procedurat e ndërlikuara të ndërtimit të vendimeve dhe të artit të lodhshëm të koncensusit.
Mbi të gjitha, e kuptojmë dhe e përkrahim imperativin parimor të Brukselit, që inkurajimi i popujve të vazhdojë krahas kërkesave ndaj qeverive të tyre për ti pranuar dhe përmbushur standardet evropiane--të tolerancës për dallimet etnike, kulturore e racore, dhe të mos-tolerancës për krimin, urrejtjen e korrupsionin.
Sfidë jona e radhës është rikthimi i besimit dhe shpresës për banorët serbë në veri të Republikës së Kosovës. Dora e hapur e miqësisë, sigurisë dhe e zhvillimit që moti është drejtuar përtej lumit Ibër, nga Qeveria e Kosovës, dhe nga unë personalisht. Sikur kurdoherë më herët, jemi të gatshëm që qytetarëve tanë serbë tua dëshmojmë gatishmërinë tonë që së bashku ta ndërtojmë ardhmërinë e fëmijëve tanë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, një muaj më parë ka hapur Zyrën Administrative të Mitrovicës Veriore, zyrë kjo e cila do ti mundësojë Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që të ofrojë shërbime cilësore dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë në atë pjesë.
Programet ekonomike, fondet zhvillimore dhe vullneti politik i Qeverisë sonë janë të gatshme për tu implementuar, si garant i premtimeve tona.
Me këto angazhime, shpresojmë dhe jemi të bindur se do të zhduken arsyetimet dhe mosbesimi, në emër të të cilit është mbytur vullneti për bashkëpunim dhe bashkëjetesë.
Kemi hapur 55 vende të reja të punës. Në një periudhë prej më pak se dy vite kemi pranuar më tëpër se 10 mijë aplikacione për dokumente personale nga komuniteti serb vetëm nga Mitrovica veriore.
Jam i bindur se me nisjen e zhvillimit dhe hapjen e vendeve të punës do të marrin fund edhe strukturat paralele, të bazuara mbi refuzimin e realitetit politik, të ndërtuar mbi marrëveshje e bashkëpunime ndërkombëtare.
Sa më shpejtë që banorët serbë nga veriu i shtetit tonë të bëhen pjesë e integruar e një Kosove të lirë e demokratike, aq më shpejtë dhe aq më i madh do të jetë zhvillimi i mbarë shoqërisë së saj. Aq më shpejtë do të merr fund mirëmbajtja e industrisë së konfliktit politik, mostolerancës etnike dhe shpërfilljes kulturore.
Një ardhmëri e këtillë për Kosovën dhe për mbarë Ballkanin është e mundshme dhe e pritshme. Mbi të gjitha, është e qëndrueshme dhe e garantueshme nëse është e mbështjellë me përkrahjen e fuqishme të vendeve të Bashkimit Evropian. Ata që ishin me ne gjatë luftës dhe çlirimit do të mbesin udhërrëfyesit tonë në paqe dhe liri.
Ju faleminderit.
Lajme

