Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Familjarët e personave të zhdukur vizitojnë lokacionin e shënjuar në fshatin Zhilivodë

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 19 qershor 2012


Familjarët e personave të zhdukur, përkatësisht udhëheqësit e Shoqatave familjareve nga Kosova dhe Serbia, sot vizituan lokacionin e shënjuar në fshatin Zhilivodë, ku institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, janë duke realizuar gërmimet vlerësuese në kërkim të mbetjeve mortore.

Përfaqësuesit e familjarëve për këtë vizitë u ftuan nga ana e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj. Në këtë vizitë të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Familjarët u njoftuan mbi punimet në këtë lokacion, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu dhe Alan Robinson, i cili ndër të tjera shprehu mirënjohjet më të larta për punën profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ‘rastin e Zhilivodës’.
Po ashtu, familjarët parashtruan një sërë pyetjesh rreth përfundimit të këtij rasti dhe punës që është duke u realizuar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, si pasojë e luftës së viteve 1998 –’99.

Gërmimet vlerësuese janë duke u realizuar në lokacionin e shënjuar në Zhilivodë, nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës në koordinim  me ekspertët vendor dhe  ekspertët EULEX-it, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, dhe me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Komunës së Vushtrrisë dhe Policës së Kosovës- Stacionit në Vushtrri.

Këto gërmime si dhe hulumtimet dhe zhvarrimet në raste tjera, në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, paraqesin përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbardhjen e fatit të të gjithë qytetarëve të zhdukur gjatë luftës.
 

Prapa