Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Kryeministri Thaçi: Kosova do të ruajë traditën e krijuar për organizmin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe si shembull për gjithë rajonin

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 5 nëntor 2010


Në hapje të mbledhjes, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se Kosova është në proces të konsolidimit dhe zhvillimit të demokracisë. Ai ka theksuar se zgjedhjet e 12 dhjetorit, me angazhimin edhe të të gjithë spektrit politik të Kosovës, do të ruajnë traditën e krijuar në Kosovë për organizmin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si shembull për gjithë rajonin.


“Qeveria e Kosovës do të përmbush të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve në aspektin organizativ dhe teknik”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka përsëritur ftesën që organizma të ndryshëm ndërkombëtarë të dërgojnë monitoruesit e vet në zgjedhjet e 12 dhjetorit.


Në përputhje me Ligjin për ushqimin dhe në funksion të kompletimit të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës si dhe Këshillin Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.


Qeveria ka anuluar vendimin për financimin e Kompanive Ndërkombëtare PATTON, BOGGS, LLP, me seli në Uashington, me qëllim të promovimit të interesave të Kosovës në botë.


Kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për reduktimin e shpenzimeve buxhetore, dhe ridestinimin e këtyre mjeteve, është aprovuar nga kabineti qeveritar.


Qeveria ka aprovuar sot vendimin për emërtimin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, me emrin e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Në arsyetimin e këtij vendimi, kryeministri ka thënë se një praktikë e këtillë e emërtimit të aeroporteve ndërkombëtare ekziston kudo në botë dhe emri i komandantit legjendar, Adem Jashari, si njëra nga ikonat e lirisë së Kosovës, do të jetë për nder që ta mbaj ky institucion.


Qeveria ka aprovuar edhe propozimin që autostrada Vërmic-Merdare të emërtohet me emrin presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.


Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për vazhdimin e shpronësimeve të pronave në brezin e autostradës Vermicë-Merdare, në zonat kadastrale të komunës së Suharekës.


Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e mësimdhënësve dhe stafit tjetër teknik dhe drejtues për shkollat e mesme profesionale në Malishevë dhe Skenderaj, të cilat pritet të fillojnë punën.


Është aprovuar edhe rekomandimi i Agjensionit të Akreditimit për të akredituar Universitetin e Prizrenit. Akreditimi do të vlej një vit dhe ky Universitet do t’i nënshtrohet procedurave të rregullta të akreditimit në fund të këtij viti shkollor.

05.11.2010 23:36
Prapa

KOSOVO IN UNESCO